Para 25 vitesh një seri atentatesh islamiste tronditi Francën. Dorasit u bënë frymëzues për gjenerata pasuese terroristësh në këtë vend. Gjurmët e atentatorëve të çojnë në zonat e varfra franceze, Banlieue.
Bomba shpërtheu në zemër të Parisit në 25 korrik, ora 17:30 në pikun e kthimit të njerëzve nga puna. Një valë zjarri kaploi stacionin e metrosë “Saint-Michel – Notre-Dame”. Në një vagon të trenit RER B shpërtheu një bombol gazi e mbushur me cifla. 8 vetë humbën jetën, më shumë se 100 u plagosën.
Kur kryeministri, Alain Juppé dhe presidenti i vendit, Jacques Chirac mbërritën në vendngjarje nuk e dinin se kjo kohë shënoi edhe fillimin e një serie atentatesh në të gjithë Francën. Ndërkohë që autoritetet e dinin herët , se pas terrorit fshihej organizata islamiste “Groupe Islamique Armé” (GIA). Ky grup me këtë atentat solli në qendër të vëmendjes luftën civile mes islamistëve dhe ushtrisë në Algjeri.
Shteti mobilizon të gjitha forcat
Qeveria më vonë vuri në lëvizje të gjithë aparatin e sigurisë – mijëra policë, ushtarë filluan të vëzhgojnë pikat nevralgjike si stacionet dhe aeroportet. Administrata e Parisit mbylli ose i hoqi mijëra kosha plehrash. Me forca të angazhuara policia ia doli të kapë më vonë organizatorët algjerianë të atentatit. Dorasit ishin rekrutuar nga burra të zonave të varfra Banlieue të Lionit. Khaled Kelkal erdhi në Francë nga Algjeria në moshën dy vjeçare, ku edhe shkoi në shkollë. 24 vjeçari ishte radikalizuar gjatë një qëndrimi në burg. Kelkal u qëllua për vdekje nga policia gjatë procesit të arrestimit. Kurse anëtarët e tjerë të celulës terroriste u dënuan nga gjykatat franceze me shumë vite burgim.
Biografia e Khaled Kelkals i ktheu në vitin 1995 sërish në vëmendje Banlieuet. Në vitin 1981 u shënuan trazirat e para në zonat periferike të metropoleve. Me Kelkal, Banlieuet filluan të shiheshin si terren ushqyes për terrorizmin.
Linja nga Saint-Michel tek Charlie Hebdo
20 vite pas atentateve të verës 1995, bota sheh më 7 janar 2015, se sa aktual është problemi i Francës me terrorizmin e lindur në vend. Në paraditen e 7 janarit, dy terroristë vrasin në redaksinë e revistës satirike, Charlie Hebdo dhe gjatë arratisë gjithsej 12 vetë. Ashtu si atentatorët e Saint-Michel, edhe Saïd dhe Chérif Kouachi kanë rrënjë algjeriane. Një ditë pas sulmit në redaksi, një francez i ri, mik me dy vëllezërit, prindërit e të cilit vinin nga Mali e vazhdon valën e terrorit. Amedy Coulibaly kishte jetuar në një nga zonat më të njohura Banlieue të Parisit, La Grande Borne. Ai qëllon një polic dhe në një supermarket hebre merr disa pengje.
Kundër 32 vjeçarit dhe Chérif Kouachi në vitin 2010 ishin zhvilluar hetime për shkak të tentativës për lirimin nga burgu të atentatorit të Saint-Michel, Smaïn Aït Ali Belkacem. Për autoritetet franceze nuk ka dyshim: Autorët e vitit 1995 drejpërdrejt ose përmes rrjeteve të tyre kanë nxitur radikalizimin e gjeneratës së dytë e të tretë të islamistëve në Francë.
Barra e të shkuarës koloniale
Por nga vjen kaq urrejtje për fuqinë e dikurshme koloniale? Për Stefan Seidendorf, nga Instituti Francez në Ludvigsburg e shkuara është çelësi për përgjigjen e kësaj pyetjeje. Ndryshe nga kolonitë e tjera, Algjeria kishte një lidhje të ngushtë me Francën. Si kolonia e vetme franceze, ky vend ishte integruar në vendin mëmë dhe ishte ndarë madje edhe në departamente. Me pavarësimin e Algjerisë në vitin 1962, mori fund këmbimi i vetëkuptueshëm në udhëtime mes “Francës dhe dy brigjeve të Detit Mesdhe”.
Popullsia me rrënjë algjeriane, që donte të jetonte edhe më tej në Europë, duhet të lëshonte rrënjë larg vendlindjes. Në tërësi mund të flitet për një histori suksesi të migrimit në Francë, sipas Seidendorf, por edhe në gjeneratën e tretë e të katërt, që gati as nuk flet ose flet keq arabisht, shumë francezë me rrënjë algjeriane nuk ishin ngrohur me Francën. “Vërtet në këtë gjeneratë shumë nuk ia dolën të zinin vendet interesante të tregut të punës, ose të kishin shanset e ngjitjes në shoqëri, si premtim i Republikës: ata do të kishin të ardhme më të mirë se prindërit, se përmes shkollimit, pavarësisht prejardhjes apo situatës materiale ngjitja në shoqëri është e mundur dhe kështu bëhesh pjesë e Republikës franceze. Ky hendek mes premtimit dhe realitetit është një pjesë e madhe e problemit.”
Çfarë ndodhi me atentatorët?
Politika në Francë duket e pafuqishme para problemeve të integrimit. Vërtet që qeveritë që nga vitet 80-të kanë ofruar mjaft programe shkollimi dhe integrimi për zonat Banlieue, por perspektivat ekonomike të banorëve nuk janë përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme. Së fundmi pati protesta të dhunshme gjatë izolimit për shkak të Coronës.
Organizatori i sulmeve të vitit 1995 ndodhet ende në burg. Pas një çerek shekulli, avokati i Boualem Bensaïd para dy muajsh aplikoi për lirimin dhe dëbimin e klientit të tij në Algjeri. Drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e saj për këtë, por vëzhguesit janë të mendimit, se ndërkohë 52 vjeçari dhe ish-anëtarë të tjerë të celulës terroriste do të kalojnë ende shumë vite burg në Francë./ DW