Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi shkarkimin e Rion Veliaj nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës, për analistin Baton Haxhiu është një produkt i përplasjeve të brendshme në Kushtetuese.
“Ka përplasje mes kryetares Holta Zaçaj, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtaj dhe, dhe grupit tjetër me pesë gjyqtarë. Vendimi i GJK është rezultat i konfliktit të brendshëm mes gjyqtarëve”, deklaroi Haxhiu, duke shtuar se “vendimi është kozmetik”.
Sipas tij, kryetarja aktuale Holta Zaçaj ndodhet “në mënyrë jokushtetuese” në krye të Gjykatës, ndërsa “grupi i të pestëve” brenda institucionit po përpiqet ta largojë atë. “Këta tre gjyqtarë po luftojnë për pozicionet e tyre që nuk i kanë në Gjykatë”, tha Haxhiu.
Duke iu referuar vendimit për Veliajn, Haxhiu theksoi se “nuk mundet që gjyqtarët, në raste kaq serioze, të vendosin me vota 5 me 3”.
“Pesë gjyqtarët kanë mbrojtur Veliajn, duke vendosur se shkarkimi i tij është joligjor, derisa nuk ka një vendim gjyqësor për fajësi”, tha më tej analisti.
Ai shtoi se “vendimi ngre pyetje serioze për fatin e qytetarëve të Tiranës”, duke ngritur pyetjen sesi “mund të qëndrojë në krye të Bashkisë një njeri që akuzohet për korrupsion?”.
	    	
		    














