Kryeministri ende në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar sërish nismën për “Mini-Shengenin Ballkanik”. Teksa foli për deklaratat që janë shkëmbyer në distancë mes tij dhe kryeministrit shqiptar, Haradinaj tha se nuk ka asgjë personale me Ramën.
“Unë nuk bëj asgjë mbi baza personale. Jam ndodhur para një rreziku të madh që Kosova të ndahej, në emër që gjoja ajo pjesë që mbetet të bashkohet me Shqipërinë. Unë jam detyruar që të dalë kundër. Interesi nacional, territori, sovraniteti ynë, ka qenë çështja e vendosjes së taksës… Nuk mundesh që t’i imponosh asgjë Serbisë”, deklaroi Haradinaj gjatë një interviste televizive.
Po ashtu ai përmend edhe presionet e bëra në lidhje me heqjen e taksës për mallrat serbe.
“Mini Shengeni është veç një formulë. Ky Mini Shengeni është bërë që të futet dhe Kosova në atë klub”, shton kryeministri i Kosovës.
Haradinaj ka thënë se Mini Shengeni është biberon mashtrues për Edi Ramën dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
“Ata nuk e kanë atë lodrën që patën qejf që ta luanin. Është një lloj biberoni mashtrues edhe për Vuçiçin edhe për Edi Ramën, për Kosovën është mashtruese. Unë e kam thënë disa herë, ne jemi vëllezër shqiptarë.”, thotë ai./ Opinion.al