Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, Selmanaj ka qenë duke dalë nga stadiumi dhe në këtë moment ka rënë nga shkallët, pasi është konfliktuar me një punonjës të policisë.
Ky i fundit, sipas asaj që tregojnë dëshmitarët, i ka kërkuar 42vjeçarit që të qetësohej, për shkak se pas ndeshjes ishte mjaft i acaruar si pasojë e rezultatit dhe po ndikonte në prishjen e qetësisë publike.
Në momentin e debatit, Selmanaj ka rënë nga shkallët duke u dëmtuar rëndë në kokë.
42vjeçari është dërguar me urgjencë për në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Mjekët e Spitalit pohuan për “Panorama Sport” se shtetasi Selmanaj kishte shkuar pa jetë në spital dhe menjëherë është transportuar për në morg.
Pas ngjarjes është ngritur edhe grupi hetimor, i cili ka nisur hetimin në disa pista.
Burime pranë Prokurorisë së Vlorës thanë mbrëmë në orët e vona për gazetën se po hetohet për këtë ngjarje në pistën e një ngjarje aksidentale, një rënie nga pakujdesia gjatë konfliktit me policinë, ose një atak kardiak i momentit.
Deri në mbrëmjen e djeshme, policia nuk doli me një deklaratë për shtyp për këtë ngjarje.
Mikel Selmanaj ishte i martuar dhe babai i një djali 6vjeçar. Ai banonte në Vlorë, ndërsa ishte pronar i një restoranti në Radhimë, si dhe një bari në bulevardin kryesor të qytetit.