Xhani De Biazi ka çuditur me deklaratën e tij pas ndeshjes për TVSH. I pyetur pse ekipi nuk gjuajti në portë, tekniku i kuqezinjve tha se edhe spanjollët nuk e bënë një gjë të tillë.
Për ndeshjen pa gjuajtje në portë “Nuk gjuajtëm ne? As ata nuk gjuajtën shumë në portë. Mendoj se në pjesën e parë kemi bërë një ndeshje të mirë. Bëmë një gabim e na ndëshkuan. Kanë një skuadër që ka shumë cilësi në mbajtjen e topit, nuk është e lehtë t’i barazosh. Pastaj po të gjetën të zbuluar të godasin”.
Për zgjedhjet në rreshtim
“Ne nuk duhet të mbajmë topin, duhet ta luajmë shpejt se ndryshe të presojnë. Në futboll duhet të luash me shpejtësi. E kemi bërë më mirë punën në pjesën e dytë, por goli i pësuar na hoqi përgjegjësinë dhe u munduam të bënim diçka ndryshe. Sigurisht, të luash një ndeshje ndaj një skuadre të tillë nuk është e lehtë, e keqja është se e pësuam ne golin”. A mund të bënim më shumë? “Mund të bënim më shumë, por mendoj se u paraqitëm mirë në pjesën e parë, thuajse nuk i lamë asgjë kundërshtarit. Fatkeqësisht në pjesën e dytë kemi bërë këtë gabim. Pastaj kur je në disavantazh ndaj tyre është problem. Ata kanë forcë mbrapa, shpejtësi. U munduam t’i kundërsulmonim në shpejtësi, por nuk ia dolëm”.