Në një kohë që PD ende nuk ka nisur një analizë të plotë për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësit e humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, brenda kësaj force politike kanë nisur sinjalet e para të shprehjes së pa kënaqësisë.
Opinion.al ka mësuar se mesditën e kësaj të enjte në një nga lokalet e Tiranës, ish-deputeti Ervin Salianji ka zhvilluar një takim informal me eksponentë të PD të cilët janë të pakënaqur me mënyrën se si po drejtohet forca politike më e madhe opozitare.
Në këtë takim, ishin të pranishëm kandidatë për deputetë që u vendosë në listën e hapur të PD më 11 maj si dhe fituesit apo ndër më të votuarit e primareve, por që nuk u vendosën kandidat për deputet.
Burimet bëjnë me dije se në këtë mbledhje informale që paralajmëron një grupim të ri brenda PD, është bërë një analizë e deri tanishme për situatën ku ndodhet PD dhe kanë theksuar nevojën për ndryshim.
Opinion.al ka mësuar së në këtë takim ishin të pranishëm, Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja, Ted Kopliku, Qani Xhafa, Nada Daullja, Xhemal Gjunkshi, Alma Kore, Hysen Kadiu, Gentian Çela dhe emra të tjerë nga qytete të ndryshme të vendit.
Kujtojmë që kjo lëvizje brenda PD vjen disa muaj para se kjo forcë politike të shkojë në garën për të zgjedhur kryetarin e saj. Sipas statutit, PD duhet të zhvilloj zgjedhjet për kryetar në muajin prill, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do të jetë emri që do të sfidojë Sali Berishën në garën elektorale brenda selisë blu.

















