Rusia do të përgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara vendosin sisteme armësh në Groenlandë.
Kështu deklaroi zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov, duke thënë se Moska është e përgatitur të marrë “masa ushtarake dhe teknike kompensuese”.
Ryabkov foli për gazetarët në ambasadën ruse në Kinë, duke thënë se nëse Uashingtoni çon përpara planet për të vendosur elementë të programit të mbrojtjes raketore “Golden Dome” në Grenlandë, Rusia do të reagojë pa hezitim.
“Nëse amerikanët vendosin të sjellin sisteme armësh në rajon ose të dislokojnë elementë të konceptit të tyre ‘Golden Dome’ në Grenlandë, kjo do të ishte një situatë që kërkon masa kompensuese ushtarake dhe teknike. Specialistët tanë janë plotësisht të gatshëm t’i ndërmarrin ato. Nuk ka asnjë dyshim për këtë,” u shpreh ai.
Deklaratat vijnë vetëm dy ditë para përfundimit të traktatit New START, marrëveshja e fundit për kontrollin e armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë. Me skadimin e saj, Moska ka paralajmëruar se bota po hyn në një fazë më të rrezikshme.
Muajin e kaluar, president Donald Trump tha se po zhvilloheshin diskutime për programin “Golden Dome” edhe në lidhje me Groenlandën. Ai foli për një “kornizë të një marrëveshjeje të ardhshme” për ishullin arktik, që është territor vetëqeverisës i Danimarkës, pas bisedimeve me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s.
Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën që SHBA të marrë kontrollin e Groenlandës për arsye sigurie kombëtare, duke hasur kundërshtime të forta nga Danimarka, autoritetet lokale të Grenlandës dhe disa aleatë evropianë.
President Donald Trump ka thënë se programi “Golden Dome” është një projekt shumë-shtresor i mbrojtjes raketore që synohet të përfundojë deri në fund të mandatit të tij në vitin 2029. Ai ka mohuar se po ushtron presion të drejtpërdrejtë, edhe pse më herët kishte kërcënuar me tarifa ndaj vendeve që kundërshtonin planet për Grenlandën.

















