Hetimi i deritanishëm për supergrabitjen në pistën e aeroportit të Rinasit ka evidentuar një sërë mangësish dhe shkeljesh nga administrata e Aeroportit dhe nga “ICTS”, kompania përgjegjëse për sigurinë brenda aeroportit.
Sistemi i Rinasit nuk ka dhënë alarm në momentin që një prej grabitësve ka kapërcyer gardhin rrethues. Alarmi nuk ka rënë as kur brava e derës hyrëse u pre me gërshërë metalike dhe prej andej hyri makina e grabitësve.
Po kështu, në momentin kur autorët e grabitjes arritën tek avioni që do të nisej drejt Vjenës, paratë ndodheshin në duart e vetëm tre vetave të paarmatosur, që nuk patën çfarë të bëjnë. Nisur nga këto fakte dhe nga informacionet e tjera Prokuroria dyshon se grabitja është favorizuar nga njerëz të brendshëm të aeroportit dhe kompanive të sigurisë që kanë pasur të bëjnë me paratë.