Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve vendore në Tiranë. “Mbrojtën Kushtetutën nga armiqtë e tyre, nga horrat e shtetit”, tha Berisha në një prononcim për mediat.
“Jam para jush dhe jam personi që tri ditë para se Edi Rama të shpaloste skenarin e tij, ju paralajmërova, se do veprojnë në këtë mënyrë dhe se do anashkalojnë Gjykatën Kushtetuese me pretendimin banal, vulgar, se Këshilli i Ministrave qenka noteri i Këshillit Bashkiak. Me këtë vendim, i bënë një shërbim vendit, rendit kushtetues dhe u dhanë vulën e turpit, por s’kanë turp… atyre që shkelmuan Kushtetutën, Edi Ramës, Presidentit të tij kukull dhe të gjithë atyre që u implikuan në këtë akt madhor antikushtetues”.