Ish-presidenti Bujar Nishani mendon se kaosi i krijuar për Gjykatën Kushtetuese nuk ka nevojë të shkojë në Komisionin e Venecias. Në një lidhje direkte në emisionin Opinion, zoti Nishani nuk pranoi të komentonte përplasjen mes Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Presidentit Ilir Meta.
“Natyrisht që nuk marrë përsipër të bëjë komente mbi komente, qoftë për presidentin qoftë për ambasadën”, tha ish Presidenti.
“Me sa kam parë dhe dëgjuar unë, Ambasada Amerikane ka bërë një sugjerim për t’ju adresuar Komisionit të Venecias. Thelbi qëndron kund tjetër, që nuk ka as kohë dhe asnjë arsye për të gjykuar edhe njëherë reformën në drejtësi. Komisioni i Venecias ka thënë shumë për këtë çështje”, tha më tej Nishani.
I pyetur se cila është anëtare e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi apo Marsida Xhaferllari, ish presidenti tha se kjo nuk ka asnjë diskutim: “Midis Kushtetues dhe Ligjit prevalon Kushtetuta. Marsida Xhaferllari, ajo është kandidaturë që ka zgjedhur presidenti. Për këtë ka folur edhe Gjykata Kushtetuese, që është i vemti organ duke e afishuar emrin e saj. Është fakt që konfirmon betimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri publikoi sot një deklaratë për shtyp, ku mbështeti dërgimin e çështjes së Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Venecias.
“Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor,” thuhet në deklaratë./ Opinion.al