Është zbardhur vendimi i Gjykata Kushtetuese që ndalon zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, duke pezulluar dekretin e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore.
Ky vendim vjen pas kërkesës së Erion Veliajt, i cili i është drejtuar Gjykatës me pretendimin se shkarkimi i tij nga detyra me vendimin e Këshillit të Ministrave është në kundërshtim me Kushtetutën.
Në seancën e mbajtur më 9 tetor 2025, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kryesuar nga Holta Zaçaj, vendosi se zbatimi i dekretit presidencial do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor.
Sipas vendimit, nuk mund të zhvillohen zgjedhje për Bashkinë e Tiranës për sa kohë është ende në shqyrtim ligjshmëria e vendimit të Këshillit të Ministrave që e shkarkoi Veliajn.
Gjykata u mbështet në nenin 45 të ligjit për organizimin e saj, sipas të cilit, nëse zbatimi i një akti mund të sjellë pasoja të pariparueshme për interesa shtetërore, shoqërore apo individuale, ajo mund ta pezullojë atë përkohësisht.
Në këtë rast, gjyqtarët arritën në përfundimin se dekretimi i zgjedhjeve për Tiranën, përpara se të shqyrtohet ligjshmëria e shkarkimit, cenon rëndë të drejtën kushtetuese të të zgjedhurit vendor dhe mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve vendore.
Me këtë vendim, procesi për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës ndalet zyrtarisht, deri në përfundimin e shqyrtimit kushtetues për ligjshmërinë e shkarkimit të Veliajt.
Dekreti presidencial është pezulluar vetëm për pjesën që lidhet me Tiranën, ndërsa pjesa tjetër e zgjedhjeve për njësitë e tjera vendore mbetet në fuqi.
Vendimi i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhje në Tiranë në 9 nëntor:
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Holta Zaçaj Kryetare,Marsida Xhaferllari Anëtare, Fiona Papajorgji Anëtare, Sandër Beci Anëtar, Ilir Toska Anëtar, Genti Ibrahimi Anëtar, Marjana Semini Anëtare, Sonila Bejtja Anëtare, në datën 9.10.2025 mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt:
“Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës.
Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”
Mbledhja e Gjyqtarëve pasi mori në shqyrtim kërkesën për pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025,VËREN:
1.Në datën 29.9.2025, kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata)me kërkesë me objekt shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.9.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”me pretendimin se ai vjen në kundërshtim me nenin 115 të Kushtetutës. Në datën 1.10.2025 Presidenti i Republikës ka nxjerrë dekretin nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, përfshirë edhe Bashkinë iranë të përcaktuar në pikën 1 të këtij akti. Kërkuesi në datën 2.10.2025 i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për shtim objekti, duke kërkuar edhe shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës për pikën 1 të tij si dhe pezullimin e efekteve juridike të këtij akti, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577/2000.
2.Në mbështetje të kërkesës për pezullim, kërkuesi ka pretenduar se, për sa kohë Kushtetuta i kadhënë Gjykatës kompetencën dhe përgjegjësinë për të garantuar të drejtën e organit të zgjedhur vendor ajo duhet të ndalojë pasojat e paligjshme që vijnë nga dekreti i Presidentit. Sipas tij, zbatimi i dekretit përpara se të shprehet Gjykata për ligjshmërinë e VKM-së që e ka shkarkuar atë nga detyra, rrezikon të prodhojë pasoja të rënda, të parikthyeshme, që prekin jo vetëm pozitën institucionale të të zgjedhurit vendor, por edhe interesat shtetërore, shoqërore dhe të qytetarëve. Kërkuesi ka pretenduar se pasojat e mundshme janë organizimi i zgjedhjeve në një bashki ku nuk ekziston vakanca juridike; shpenzimet e burimeve njerëzore e financiare për organizimin e zgjedhjeve; një proces zgjedhor i imponuar politikisht dhe kundër vullnetit të qytetarëve. Po sipas tij, në rast se nuk vendoset pezullimi, vendimi i Gjykatës nuk do të rivendosë situatën e mëparshme dhe pasojat do të ishin të pakthyeshme, duke u krijuar një precedent i rrezikshëm, zëvendësimi i të zgjedhurit vendor përpara se të vendoset vlefshmëria eshkarkimit.
3.Sipas nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, të ndryshuar, Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërore, shoqërore ose të individëve, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve ose në seancë plenare urdhëron pezullimin e tij. Sipas kësaj dispozite, së pari: subjekti që kërkon pezullimin e një akti duhet të provojë prekjen e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si dhe pasojat e pariparueshme që do të sjellë zbatimi i aktit; së dyti: shqyrtimi i kërkesës mund të bëhet nga Gjykata përpara ose në seancë plenare.
4.Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr. 8577/2000. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (kërkuesit), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.
PËR KËTO ARSYE, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës, njëzëri,VENDOSI:
1.Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.