Komisioni Disiplinor i MLS (kampionatin amerikan të futbollit) ka lëshuar një pezullimin prej 1 ndeshjeje dhe një gjobë të pazbuluar për Shkëlzen Gashin, futbollistin shqiptar të Colorado Rapids, që la FC Basel në merkaton e janarit dhe u transferua në SHBA.
Po cila ka qenë shkelja e bërë nga futbollisti i kombëtares shqiptare, finalist i “Euro 2016”, do të thoni ju? E pabesueshme, por e vërtetë: 29-vjeçari ka hyrë paksa në fushën e lojës, në minutat shtesë të ndeshjes së fituar 1-0 ndaj LA Galaxy, duke festuar me bashkëlojtarët, më 12 mars.
Kjo shkelje i ka kushtuar Gashit pezullim 1-javor, çka do të thotë se nuk mund të luajë ndeshjen e radhësme Colorado Rapids, të dielën, më 20 mars, kundër DC United.
Vajtja e Shkëlzen Gashit te Colorado Rapids ka bërë që shqiptarët e Amerikës të bëhen tifozë me këtë skuadër. Madje, vetëm për të parë mesfushorin kuqezi duke luajtur, ata ia kanë mësyrë edhe stadiumit.
Ky fakt nuk ka mbetur pa u evidentuar nga klubi i MLS, i cili besoi dhe e mori Gashin nga FC Basel në merkaton e janarit, duke e konsideruar si goleadorin e vet të ardhshëm. Aventura amerikane ka nisur edhe zyrtarisht për 29-vjeçarin, i cili ka luajtur si titullar ndaj Los Angeles Galaxy.
Në një duel, ku miqtë ishin favoritë për të triumfuar, Colorado Rapids ka arritur të befasojnë në fund të lojës. Në minutën e 95-të të ndeshjes, sulmuesi vendas, Marco Pappa, shënoi golin e fitores. Gashi në këtë sfidë ishte i pranishëm në fushë përgjatë 84 minutave dhe është vlerësuar lart për paraqitjen e tij. Mesfushori i kombëtares shqiptare kishte tri mundësi të mira shënimi, mirëpo fati ia ktheu shpinën, ndërsa portieri mik reagoi në mënyrë të mrekullueshme.
Pas ndeshjes në fjalë, Gashi ka nxituar të shkojë e të takojë tifozët shqiptarë, që kishin ardhur ta ndjekin me flamurin kuqezi. Ai ka pozuar bashkë me to dhe kjo gjë është pasqyruar edhe në faqen zyrtare të klubit amerikan. Ata kanë tashmë më shumë tifozë prej Gashit, shqiptarët që jetojnë në Amerikë, ndërsa preesin prej tij sa më shumë gola, sikurse ka bërë dy sezone radhazi në Zvicër, ku është shpallur “Këpuca e Artë”.