Gjetan Keta fitoi brezin e kampionit Interkontinental për peshat e mesme në federatën WBC. Bokiseri shqiptar mundi turkun Turgay Uzun me nokaut teknik në raundin e pestë.
32 – vjeçari mori zemër edhe nga tifozë të shumtë të pranishëm në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, duke shtuar presionin ndaj kundërshtarit me kalimin e raundeve.
Goditjet e Ketës e dobësuan turkun Uzun, që uli mbrojtjen. Ai u dorëzua para kohe në një sfidë që ishte parashikuar të zgjaste 12 raunde.
Ky është triumfi i 20 në 23 sfida për për Gjetan Ketën, i cili pjesën më të madhe të fitoreve i ka mbyllur me nokaut.
Ky aktivitet pati edhe sfida të tjera në boks dhe kikboks.
Në ringun e “Asllan Rusi” u shpall kampion Europe për peshat deri 100 kilogramë në Kikboks edhe Kristian Prenga, i cili mundi me nokaut grekun Vasilis Karagiannidis.