MIRDITË- Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni ka qenë sot në Mirditë për të inspektuar investimet e qeverisë në këtë zonë. Teksa vizitoi një familje të varfër ajo tha se fondet për strehimin janë rritur kështu që kryetarët e rinj të bashkive duhet të aplikojnë nis nga Janari.
Përpos kryetarit të Bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj ajo shoqërohej edhe nga deputeti i ri i së majtës, Eduard Ndocaj.
Gjermeni inspektoi përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Ura e Pazarit, Varrezat Publike dhe Unaza e Madhe si dhe 15 banesa të familjeve rome dhe egjiptiane, të cilat u rikonstruktuan me fondet e MZHU në vitin 2015.
“183 familje rome dhe egjiptiane në mënyrë direkte do të përfitojnë nga zbatimi i projekteve konkrete me një vlerë totale investimi rreth 113 milionë lekë”, tha Gjermeni. Ajo u kërkoi drejtuesve të njësive vendore të aplikojnë për projekte për strehimin e komunitetit rom dhe egjiptian.