Gjermania ka regjistruar të enjten rastin e parë me variantin e ri të koronavirusit, i cili fillimisht është zbuluar në Britaninë e Madhe.
Autoritetet shëndetësore gjermane njoftuan se e infektuara është një grua që ka udhëtuar nga Londra drejt Frankfurtit më 20 dhjetor. Ajo u vetëizolua pasi doli pozitive për COVID-19, kur mbërriti në aeroport. Një ditë më vonë, gruaja filloi të shfaqte simptoma të lehta, dhe një test i dytë gjithashtu doli pozitiv.
Pas identifikimit të rastit autoritetet shëndetësore bënë me dije se një mostër e testit të gruas u dërgua në një laborator të specializuar për analiza të mëtejshme.
Deri tani variant i ri i koronavirusit është shpërndarë në disa vende si Italia, Danimarka, Holanda, Australia. Ekspertët thonë se ky mutacion i COVID-19 është deri në 70% më infektues, ndërsa disa vende kanë mbyllur kufijtë e tyre për njerëzit që udhëtojnë nga Britania e Madhe. Një ndër këto vende është dhe Gjermania, e cila ka zgjatur pezullimin e udhëtimeve me Britaninë e Madhe deri në 6 janar./ Opinion.al