Shërbimi Sekret Amerikan po heton për gjetjen e një sasie kokaine në Shtëpinë e Bardhë të dielën mbrëma.
Kokaina u zbulua në krahun perëndimor të Shtëpisë të Bardhe, ku ndodhet Zyra Ovale dhe zona të tjera pune për ndihmësit dhe stafin presidencial, të cilët u evakuuan menjëherë pas gjetjes së lëndës narkotike.
Agjentët e Shërbimit Sekret gjetën pluhurin e dyshimtë në një zonë që është e aksesueshme për grupet turistike ndërsa po kryenin një inspektim rutinë.
Presidenti Joe Biden dhe familja e tij ishin në Camp David në Maryland në atë kohë.
Një zyrtar i lartë i zbatimit të ligjit i tha partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, se substanca u gjet në një strukturë magazinimi të përdorur në mënyrë rutinore nga stafi i Shtëpisë së Bardhë dhe të ftuarit për të ruajtur telefonat celularë.
Kompleksi i Shtëpisë së Bardhë u mbyll si masë paraprake rreth orës 20:45 me orën lokale (00:45 GMT) të dielën pas zbulimit.
Një test paraprak, i cili u raportua fillimisht nga Washington Post, më vonë konfirmoi se ishte kokainë.
Shërbimi Sekret do të udhëheqë një rishikim të plotë se si substanca hyri në Shtëpinë e Bardhë, thanë zyrtarët për CBS. Ata thanë se kamerat dhe shkrimet e hyrjes do të ekzaminohen për të përcaktuar se kush kishte akses në zonën ku u gjet./Opinion.al