Mbrëmjen e së dielës, më 2 mars, policia e Prishtinës ka njoftuar gjetjen e trupit të pajetë të Mentor Palokajt, vëllai i reperit Viktor Palokaj i njohur ndryshe si Unikkatil. I ndjeri ishte 42 vjeç.
“Sot rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në lagjen ‘Arbëria’ në Prishtinë. Viktimë në këtë rast është një mashkull (1983), vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Hetuesit policorë në koordinim me prokurorin po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, tha zëdhënësja e Policisë së Kosovës.
Në raportin 24-orësh, policia ka njoftuar se në banesën e viktimës është gjetur një armë zjarri dhe substancë e dyshuar narkotike. Trupi i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.