Është mbajtur ditën e sotme seanca për ish-ministrin Fatmir Mediu, i cili është nën hetim për çështjen e Gërdecit.
Pas mbarimit të seancës në GJKKO, ai tha në një dalje për mediat se po tentohet të mbyllet procesi me shpejtësi, por pa treguar se cilat ishin përgjegjësitë e tij.
Sipas tij, është një proces sa për të kaluar te procesi i radhës.
“Ashtu siç u kërkua thirrja e dëshmitarëve, prokuroria ka sjellë një volum shkresash pa përcaktuar asgjë. Por pa përcaktuar dhe përgjegjësitë e ministrit. U tha se ishte salduar një karrocë. I kërkuam prokurorisë që të na thotë se ku është përgjegjësia e ministrit në kuadër të shpërdorimit të detyrës. Nëse nuk hyhet në thelb të së vërtetës, mendoj se është një proces që të kalohet te procesi i radhës.
Sikur duan që të mbarojë seanca shpejt. Se çfarë ka ndodhur në Gërdec, njerëzit e dinë, se çfarë ka bërë ministri, atë duhet të faktojnë. Unë duhet të analizoj ekspertizën e amerikanëve. Ata kanë lënë 5 shkaqe në fuqi. Nuk u bë herën e parë, ndaj mendoj se duhen marrë në konsideratë të gjitha gjërat. Nuk merret ministri me çështjet e kalibrave. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm duhet të japë versionin e tij. Nuk është e vështirë që të gjendet adresa e tij në SHBA”, tha ai.