Ish-mesfushori i Milanit, Ivan Xhenaro Gatuzo, duket se pëlqen shumë futbollistët shqiptarë dhe si trajner i Pizës ka siguruar që tani shërbimin e dy të tillëve. I pari është Edgar Çani, sulmuesi 26 vjeçar të cilin Gatuzo e kishte nën urdhrat e tij edhe në sezonin e kaluar kur garantoi ngjitjen nga Lega Pro në Serinë B. Kontrata e futbollistit është rinovuar edhe për një sezon tjetër dhe ai do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në një skenë më të rëndësishme. Në Serinë B, me Pizën do të jetë edhe Samir Ujkani. Futbollisti ishte huazuar te Latina në edicionin e kaluar nga radhët e Xhenoas, që zotëron kartonin e tij. Por ishportieri i përfaqësueses shqiptare, i cili tani mbron ngjyrat e Kosovës, nuk ka qëndruar te ekipi i Serisë A dhe është huazuar te Piza në Serinë B, ku ka më shumë mundësi aktivizimi.