Radja Nainggolan është pezulluar pa afat nga klubi i tij, Antëerp, pasi është kapur duke pirë një cigare elektronike teksa po qëndronte në stol gjatë një ndeshjeje.
Lojtari belg kurrë nuk e ka fshehur vesin e duhanpirjes, por vendimi për të mos u përmbajtur as gjatë ndeshjeve të skuadrës së tij është konsideruar si i tepruar nga drejtuesit e klubit. Një tjetër veprim që duket se “ka mbushur kupën” është fakti se Nainggolan është arrestuar javën e kaluar teksa po ngiste makinën pa patentë.
34-vjeçari iu bashkua Antwerp gjatë verës, pasi Inter ndërpreu kontratën me të. Tani, ai rrezikon sërish të mbetet pa skuadër. Pas vendimit të klubit, Nainggolan u përpoq të qetësonte disi situatën. “Klubi ka marrë një vendim të cilin vetëm sa mund ta pranoj, edhe pse mendoj se ishte pak më i rreptë se sa duhej për mua. Por do të përpiqem të kontribuoj në ndonjë mënyrë tjetër”, shkroi mesfushori në Instagram.