Pagoi me kartëmonedhë false furnizimin e automjetit me karburant vihet në pranga 25-vjeçari në Korçë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga punonjësi i një pike karburanti, se një shtetas që kishte furnizuar automjetin, me karburant, kishte paguar me një kartëmonedhë të dyshuar të falsifikuar, kanë kryer veprimet hetimore dhe si rezultat kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar të rastit, shtetasin: K. B., 25 vjeç, banues në Korçë.
“Gjatë kontrollit fizik ndaj 25-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara, si dhe 4 pasaporta të tij, të cilat 25-vjeçari i kishte deklaruar të humbura”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave apo i formularëve”.