Ish-kryeministri Sali Berisha e ndërthuri në një praktikë zyrtare të punës së tij: “Qytetarin Dixhital”.
Bëhet fjalë për informacione të mundshme që i vijnë deputetit Demokrat në rrjetet sociale dhe që ky i fundit shpeshherë i publikon, pa cituar burimin, duke ruajtur anonimatin dhe pa dhënë shpjegime nëse e kishte verifikuar apo jo përpara publikimit informacionin për të siguruar vërtetësinë e tij.
Nga një njoftim i sotëm mësohet se PD do të ketë një portal per “qytetarin dixhital” dhe i ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë zyrtarët e inkriminuar.
“Është po kështu një ditë e mirë sepse po fillojnë të kërcasin ingranazhet e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim nga pesha e ligjit të dekriminalizimit. Partia Demokratike fton të gjithë qytetarët shqiptarë të bëhen pjesë e zbatimit të këtij ligji duke denoncuar pranë një portali të posaçëm që do të hapim që prej ditës së nesërme me informacione konkrete çfarë dinë ata për zyrtarët e inkriminuar në fshatin, qytetin, rrethin, qarkun e tyre, në çdo nivel nga drejtorë e zyrtarë ujësjellësash e deri tek anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, apo ministrat e kabinetit “Rama-Meta”. I ftoj pra qytetarët që duke filluar nga dita e nesërme të bëhen pjesë e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Së bashku ta bëjmë këtë ligj efektiv duke i larguar siç e meritojnë nga politika dhe nga vendimmarrja njerëzit me rekorde të tmerrshme kriminale.Le të jetë ligji për dekriminalizimin vendi ku bashkohen“, shkruhej në njoftim.