Disa luftëtarë të ISIS janë larguar nga Siria rreth 10 ditë më parë dhe po i drejtohen Europës. Alarmi vjen nga njësia anti-terror në Belgjikë, e cila ua ka shpërndarë njoftimin të gjitha shërbimeve të sigurisë në vend.
Xhihadistët dyshohet se do të udhëtojnë përmes Turqisë dhe Greqisë me barka dhe do të ndahen në dy grupe, një në Belgjikë dhe një tjetër në Francë, me qëllim kryerjen e atentateve terroriste në të dy vendet.
Mediat belge të cilat raportuan lajmin, shkruajnë se rreziku është konkret dhe se këta persona janë të pajisur me armatimin e nevojshëm.
Gjithësesi, niveli i sigurisë do të qëndrojë në atë aktual, numër 3.
Një ditë më parë në Francë u arrestuan tre persona që kishin lidhje me vrasësin e çiftit të policëve, Larossi Abballa, 25-vjeçari që i kishte shprehur besnikëri Shtetit Islamik.
Prokurori i Parisit tha të martën, se terroristi francez ishte urdhëruar nga ISIS të godiste të pafetë. Pranë trupit të tij, policia gjeti një listë me shënjestra të mundshme, ku bënin pjesë policë të tjerë, gazetarë e artistë.