Pavarsisht nga ç’thonë politikanët e ndryshëm shqiptarë rreth dekriminalizimit, apo nga veprimet e jashtëzakonshme të tyre në parlament, lepuri fle diku tjetër. Së afërmi, pritet të vijnë në Shqipëri përfundimet përfundimtare të Komisionit të Venecias mbi reformën në drejtësi, dhe në këto përfundime, pritet që të mos atakohen dy entitete të reja, të cilat mund t’i futen me themel luftës kundër korrupsionit të lartë dhe bashkëveprimin e tij me krimin e organizuar.
Të sugjeruara e mbështetura fort nga Uashingtoni e Berlini, ja cilat janë këto dy entitete të reja:
Njëri është Struktura e Posaçme Antikorrupsion e Prokurorisë (me fjalë të tjera, një prokurori speciale), me mision të qartë: të përfaqësojë akuzën kundër gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë në Gjykatën Antikorrupsion. Këta prokurorë përcaktohen si të pavarur, madje edhe nga Prokurori i Përgjithshëm, dhe do të seleksionohen a trajnohen nga prokurorë amerikanë në Uashington. Në ndihmë të tyre do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimit (një polici gjyqsore speciale), anëtarët e së cilës do të seleksionohen dhe trajnohen nga FBI-ja në kaliforni.
Entiteti tjetër i ri është Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili përshkruhet si një organ i ngritur në bashkëpunim ndërmjet Komisionit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe organizatave partnere. I kryesuar nga Komisioni Europian, Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka të drejtë të emërojë vëzhgues të huaj në të dyja shkallët e Komisionit të Pavarur i Kualifikimit, që do të kalojë në sitë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët aktualë nga pikpamja e korrupsionit dhe profesionit.
Megjithëse emrin e kanë “vëzhgues”, të huajt parashikohen të kenë kompetenca të ngjashme me anëtarët e Komisionit të Pavarur i Kualifikimit, përsa i përket aksesit në çdo dokument të shtetit shqiptar. Gjithashtu, vëzhguesit ndërkombëtarë do të kenë të drejtë të konstatojnë ose të japin opinione në çdo fazë të seleksionimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve të tyre, përsa i përket vlerësimit të pasurive dhe vlerësimit të performancës nga komisioni i kualifikimit.
Të dyja këto entitete do të përdorin gjerësisht testin poligraf, i cili përdoret nga FBI-ja dhe CIA për të zbuluar nëse punonjësit e tyre gënjejnë në vetdeklarimet që bëjnë periodikisht. (Testi poligraf është pothuaj 100% i sigurtë për të zbuluar gënjeshtarët, por 95% i sigurtë për të certifikuar ata që thonë të vërtetën.)
Pikërisht këto dy entitete u fusin frikën shumë politikanëve, gjyqtarëve e prokurorëve, prandaj do të dëgjojmë shumë kundërshtime të këtyre të fundit në javët në vijim, por jo për vetë entitetet – kundërshtimet do të jenë për nenin aq e kaq, për sugjerimin aq në paragrafin kaq. Kur të dëgjoni këto kundërshtime, kujtoni se ku fle lepuri – tek Prokuroria Speciale dhe nga “Sita” (të dyja amerikano-europiane).