Drejtoria e Burgjeve ka miratuar lejen për Fredi Belerit, për të udhëtuar drejt Strasburgut ku do të betohet si eurodeputet në Parlamentin Evropian.
Lajmin e bën të ditur gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj.
Mësohet se ai do të udhëtojë i vetëm në Bruksel, i pashoqëruar nga efektivët e policisë.
Kujtojmë se Fredi Beleri është njëri nga eurodeputetët e Demokracia e Re, partisë së Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së.
Fredi Beleri iu drejtua me një kërkesë Drejtorisë së Burgjeve, për të marrë pjesë fizikisht në mbledhjen e parë të Parlamentit Europian, që do të mbahet më 15 korrik.
Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023.