Ndeshja e fundit miqësore e Francës kundër Shqipërisë mesa duket nuk është harruar nga “gjelat”. Dy mesfushorët e Francës, Matuidi dhe Sisoko, janë shprehur në një konferencë për shtyp nga qendra e tyre stërvitore se ndeshja me Shqipërinë është shumë delikate.
“Ne jemi Franca dhe gjithmonë luftojmë për vendin e parë në grup. Por është e vërtetë që duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe për momentin vëmendja jonë është vetëm të Shqipëria. Ata na kanë hapur shumë probleme në sfidat miqësore që kemi zhvilluar ndaj tyre. Duhet të tregohemi të vëmendshëm sepse shqiptarët janë shumë të rrezikshëm kur behet fjalë për goditje standarde.
Për ne, para së gjithash është ndeshja ndaj Shqipërisë, pastaj do të mendojmë për Zvicrën. Për t’u renditur të parët në grup duhet të fitojmë të mërkurën në Marsejë”, deklaroi Matuidi. Ndërkohë Musa Sisoko ka thënë se Franca ka mësuar nga gabimet e të kaluarës më Shqipërinë dhe këtë herë do të përpiqet të mos ketë të njëjtin fat si herën e kaluar. Franca do të përballet me Shqipërinë mbrëmjen e të mërkurës në stadiumin ”Velodrome” të Marsejës.