Zbulohet se çfarë u ka thënë Didier Deschamps lojtarëve në pushimin e ndeshjes mes Francës dhe Shqipërisë
Paraqitja e Shqipërisë në pjesën e parë të ndeshjes kundër Francës ka detyruar trajnerin Didier Deschamps që të marrë masa për të ndryshuar diçka në skuadrën e ‘Gjelave’.
Sipas gazetës sportive franceze, “L’Equipe”, trajneri është dashur t’i tërheqë veshin futbollistëve në pushimin e ndeshjes, me një fjalim motivues, duke parë se ata nuk po bënin diferencën përballë kuqezinjve.
“Po luani një Europian, nuk po luani një miqësore. Duhet të jepni më shumë në fushë”, ishte apeli që tekniku francez u ka bërë lojtarëve të tij.
Më pas, fjalën e kanë marrë me radhë disa nga liderët e ekipit. Hugo Loris, Patris Evra, Loren Koshielni dhe Bleis Matuidi kanë motivuar shokët e skuadrës për pjesën e dytë, në fundin e të cilës Franca arriti të shënonte dy herë dhe të merrte tri pikët përballë kuqezinjve.