Sot pasdite në orën 18:00 do të hidhet në Nion të Zvicrës shorti për fazën finale të Europianit “Francë 2016”, ku Shqipëria do të njohë tre rivalët e saj për fazën e grupeve. Për tifozët shqiptarë, kjo do të jetë hera e parë që do të provojnë emocionet e këtij shorti, ndërsa trajneri italian i kuqezinjve, Xhani de Biazi, deklaron se nuk ka asnjë preferencë për emrin e rivalit, pasi Shqipëria është në vazon e katërt dhe të gjitha skuadrat që ajo do të ketë si kundërshtare, do të jenë të një niveli më të mirë.
“Nuk dua të zgjedh asnjë skuadër që e preferoj në grup, e as që do të doja ta evitoja. I marrim skuadrat një nga një. Jemi në vazon e katërt dhe nuk kemi probleme. Duke e pasur parasysh se të gjithë janë të fortë, nuk kemi dëshirë të evitojmë askënd”, u shpreh fillimisht De Biazi, në një bisedë për “Zërin”.
“Hera e parë, si gjithmonë, është mjaft e rëndësishme dhe emocionuese për të gjithë. Shkojmë të bindur, duke shpresuar që të kemi një short të mirë, dhe më pas të shohim se çfarë do të bëjmë”, – vazhdoi italiani, që nuk vendos objektiva.
“Sa u përket objektivave, do të flasim pasi të mësojmë kundërshtarët”. Në fund, De Biazi thekson se do të marrë në Francë skuadrën me të cilën përballoi fushatën eliminatore, ndërsa uron që të mos ketë probleme fizike me asnjë lojtar. “Shpresoj të mos ketë befasi në ekipin tim të Europianit. Nuk varet nga unë.
Unë zgjedh në bazë të lojtarëve, se si janë, duke shpresuar që të mos ketë probleme me lëndime dhe gjëra të tilla”, – përfundoi strategu italian. /GSH/