Spanja dhe Republika e Çekisë kanë hapur ditën e katërt të Euro 2016-të. Ndeshja e zhvilluar në Tuluzë ka qenë emocionuese, pavarësisht se në fund takimi është vendosur nga një gol. Lojtarët e Del Bosque kanë dominuar nga minuta e para deri tek ajo e fundit, por Rosicky me shokë janë mbrojtur shumë mirë. Të paktën deri në minutën e 87-të kur Pique ka shënuar me kokë golin e fitores. Grupi D, pas këtij rezultati, kryesohet nga Kroacia dhe Spanja me pikë të barabarta.
Pjesa e parë është kontrolluar nga kampionët e Europës në fuqi për sa i takon zotërimit të topit dhe rasteve të krijuara. Megjithatë, lojtarët e Del Bosque nuk kanë arritur të transformojnë në gol mundësitë që kanë pasur. Lojtari më i rrezikshëm për “La Roja” ka qenë sulmuesi i Juventus-it Alvaro Morata, i cili ka vënë disa herë në vështirësi mbrojtjen ceke dhe portierin Cech.
Pjesa e dytë ka filluar me një tjetër rast për spanjollët ndërsa këtë herë ka qenë Nolito që ka kërkuar golin, por gjuajtja e tij është ndalur nga mbrojtja ceke. Reagimi i skuadrës së Vrba ka ardhur në minutën e 57-të me një goditje të bukur të Hubnik teksa De Gea ka shmangur pësimin e golit më një pritje të jashtëzakonshme.