Një ditë para ndeshjes Francë – Shqipëri, mediat vendase shkruajnë se trajneri i bluve Didie Deshomp mund të bëjë disa ndryshime në formacion, krahasuar me ndeshjen e parë përballë Rumanisë. Gjatë ndeshjes së kontrollit të hënën Deshomp renditi formacionin që zbriti në fushë ndaj përfaqësueses rumune.
Por rrjeti televiziv francez BFMTV shkruan se përballë Shqipërisë të mërkurën trajneri do të ndryshojë disa lojtarë. Njëri prej tyre është Kingsli Koman, i cili pritet të zëvendësojë Ontuan Grizhman në sulm. Lojtari i Bajern Mynçen, ka spikatur në seancat stërvitore dhe për Didie Deshomp meriton disa minuta më shumë.
Por surpriza e vërtetë vjen nga mesfusha, ku sipas televizionit francez, Pol Pogba rrezikon të humbasë vendin e titullarit.
Në planet e trajnerit të Francës për të zëvendësuar yllin e Juventusit është Musa Sisoko, ndërsa një tjetër emër që mund të debutojë përballë kuqezinjve është edhe sulmuesi i Mançester Junajtid, Antoni Marsial. Ndryshimet në formacionin e bluve shihen si një mënyrë për të ruajtur energjitë përballë ndeshjes me Zvicrën.