Imazhet e para pas sulmeve të Parisit të të shumëkërkuarit Salah Abdeslam janë publikuar nga kanali francez “BFM”.
Fotot që janë marrë nga kamerat e survejimit tregojnë Salah Asbeslam shumë të qetë dhe me duar në xhepa mëngjesin e 14 nëntorit, as 24 orë pas sulmeve të Parisit.
Abdeslam besohet të ketë telefonuar dy miqtë e tij, Mohammed Amri dhe Salah Hamza Attou nga kryeqyteti francez mëngjesin e 14 nëntorit në mënyrë që ta dërgonin në Belgjikë.
Rrugës për në Belgjikë tre të dyshuarit kanë ndaluar për 15 minuta në një pikë karburanti në afërsi të kufirit me shtetin belg. Deri në atë moment, ata kishin arritur t’i shmangeshin tri pika kontrolli të policisë.
Mohammed Amri dhe Salah Hamza Attou ndahen nga Salah Abdeslam në Belgjikë, për t’u arrestuar vetëm një ditë më pas në një aksion të policisë në Molenbeek.
Ndërkohë, vetë Abdeslam vazhdon të jetë në kërkim.