Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Dashamir Gjika pasi kanë shkëlqyer me mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore, kanë nisur një aksion për lyerjen e këmbëve të urave.
Nga foto e publikuar, vihet re, ministri Haxhinasto me rrul në dorë duke lyer një këmbë ure, ndërsa drejtori Gjika pret radhën për t’i dhënë një dorë.
Menaxhimi i rrugëve të Shqipërisë është kthyer në një makth të vërtetë për pjesën më të madhe të drejtuesve të automjeteve, por dy personat më të rëndësishëm për këtë fakt, kanë menduar ta kapin problemin nga rrënjët.
Ata nuk merren me atë se çfarë ka sipër urës, por me këmbët e saj. Ata nuk merren me faktin se kush mban përgjegjësi për aksidentin e ndodhur pak kohë më parë në aksin rrugor Shkozet – Rrogozhinë, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur.
Nuk mbajnë përgjegjësi për faktin se kanë thyer vendimin e formës së prerë nga Gjykata për vendosjen e barrierave anësore të rrugës.
E mbi të gjitha, as nuk duan t’ia dinë aspakt për faktin e thjeshtë se në vendin tonë, numri mesatar i kësaj kategorie aksidentesh, të ndodhura këto 5 vitet nga përkeqësimi i infrastrukturës rrugore, për 10.000 mjete është 10–12 viktima përkundrejt 5,5 viktima që e kanë vendet e Evropës Qendrore e Lindore, pra rreth dy herë më i lartë.
Në Shqipëri, kostot që shkaktojnë aksidentet rrugore janë 1.5% e PBB-së, pa përfshirë këtu ndikimin social dhe humanitar që shkaktohet nga humbja e jetës së njeriut dhe plagosjet që çojnë në paaftësi tek familjet e viktimave.