Përveç humbjes 3-0, Sopoti mori edhe një tjetër lajm të keq nga ndeshja e sotme me Bylisin.
Portieri Ibrahim Bejte pësoi një dëmtim të rëndë që pritet ta mbajë disa muaj larg fushave të lojës.
Ishte minuta e 49-të kur “gardiani” i librazhdasve theu dorën e majtë pas një përplasjeje me Raboshtën në dalje.
27-vjeçari u mundua ta mbante të palëvizur dorën në pritje të ambulancës që ndodhej në skajin tjetër të stadiumit të Fushë-Krujës.
Pasi mori ndihmën e parë nga mjekët për rreth pesë minuta, Bejte u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.