Fati i keq vazhdon të ndjekë Burim Kukelin. Mesfushori, i larguar nga grumbullimi i Kombëtares për të luajtur finalen e Kupës së Zvicrës me Zurich, pësoi një dëmtim që krijoi panik.
Në minutën e 16-të e ndeshjes me Luganon, Kukeli pësoi çarje në kokë, gjatë një dueli me sulmuesin e Luganos, Bottani që e goditi me shpatull.
Lojtari kuqezi u ngrit menjëherë në këmbë për të vazhduar duelin për topin, pavarësisht çarjes në pjesën e sipërme të ballit. Vetëm pas ndërprerjes së lojës nga gjyqtari, Kukeli u shtri në tokë sepse po humbiste shumë gjak.
Mesfushori i Kombëtares mori ndihmën e shpejtë, me stafin mjekësor që i fashoi kokën, por prej dëmtimit e kishte të pamundur të vazhdonte lojën, dhe u zëvendësua në minutën e 20-të të finales së Kupës së Zvicrës.
Zurich arriti ta fitonte sfidën 1-0. Fillimisht Lugano ku kuqeziu tjetër, Frederik Veseli ishte titullar dhe u ndëshkua me karton të verdhë, shpërdoroi një penallti me Bottanin në të 32-ën.
Veseli dhe Kukeli do ti bashkohen Kombëtares në Austri, me mesfushorin që do ti nënshtrohet ekzaminimeve me stafin mjekësor, e nuk pritet që të rrezikojë pjesëmarrjen në Euro 2016.