Antropologu gjerman Dr. Raimer Shulc në vitet 1929-1930, kreu hulumtime shkencore të antropologjisë fizike në malet e Shqipërisë së Veriut. Në vitin 1937, ai mori pjesë në një ekspeditë gjermano-italiane në Theth të Dukagjinit në emër të një ashtuquajtur Enti Rajonal i Tyringisë për Çështje Racore (Thüringisches Landesamt für Rassewesen) në Vajmar.
Gjatë një qëndrimi të gjatë në Theth, mati dimensione të trupave të banorëve të luginës së Shalës në kuadrin e degës shkencore të antropometrisë, e cila në atë kohë ishte mjaft e ndikuar nga ideologjia fashiste dhe më vonë ra pak a shumë në harresë.
Gjatë hulumtimeve në Dukagjin, Shulci bëri edhe mbi dyqind fotografi të nxënësve të shkollës dhe foto të tjera. Koleksioni i tij u dhurua një arkivi në Hale (Halle) por, siç duket, u zhduk gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ato që kanë mbetur nga vepra e Rajmer Shulcit janë disa fotografi të pakta të një varrimi tradicional në Theth që ai i botoi në revistën e Lajpcigut Atlantis (vëll. 10, 1938, f. 257-259) dhe që paraqiten këtu.
Rajmer Shulci kishte ndërmend të plotësonte punën e tij antropologjike me një udhëtim të dytë në Theth dhe kishte filluar të mësonte shqip, por ndërkohë erdhi Lufta e Dytë Botërore. Vdiq ushtar në frontin rus më 14 korrik 1941. /albanianphotography/