Nga Alice Elizabeth Taylor, Rezearta Çaushaj
Kjo është historia e një djali të vogël nga Tirana, i cili sapo ka mbushur katër vjeç, por që dy muajt e fundit është rrahur dhe djegur në dy kopështe të ndryshme shtetërore që administrohen nga Bashkia Tiranë.
A.H. ndiqte Kopështin Nr. 1 në Tiranë dhe më 29 gusht 2018, pasi u kthye në shtëpi, filloi të sillej në mënyrë të pazakontë. Kur nëna e tij u përpoq t’i hiqte këmishën për t’i bërë dush, ai kundërshtoi duke u acaruar emocionalisht dhe duke u sjellë në mënyrë të frikësuar. E ëma zbuloi se, jo për herë të parë, A. H. kishte një shenjë mavi në krah, pa pranuar t’i tregonte asaj se nga se ishte shkaktuar.
Menjëherë A. H. u dërgua nga e ëma në komisariatin e policisë, ku policët i bënë pyetje të thjeshta, por fëmija sërish nuk pranoi të fliste. Të nesërmen në mëngjes, A. H. u paraqit përsëri në komisariat dhe këtë herë u intervistua në prani të policëve, prindërve dhe tre psikologëve.
Në fillim, A. H. u duk ende i tmerruar për të treguar se kush ja kishte shkaktuar lëndimin, por, më në fund, ai tregoi se ishte rrahur me shkop nga drejtoresha e kopështit Nashi Shehapi, më shumë se një herë.
Për më tepër, Shehapi e kishte urdhëruar fëmijëm të mos tregonte në shtëpi, duke e frikësuar deri në pikën sa djali dridhej dhe largohej kur dikush shtrinte dorën drejt tij. Gjatë intervistës, A. H. tregoi, gjithashtu, se, kur silleshin keq, fëmijët e kopështit mbylleshin rregullisht në “vrimën e miut” — “vrima e miut” ishte një dollap i errët nën një palë shkallë të kopështit.
Gjatë pyetjeve, A. H. u pyet se çfarë mendonte për edukatoren e tij dhe ai u përgjigj se ai e donte atë dhe ajo ishte një grua e mrekullueshme. Por kur u pyetën për drejtoreshën Nashi, A. H. menjëherë shfaqi shenja shqetësimi dhe frike dhe u përgjigj: “Nashi është një grua e tmerrshme, një shtrigë dhe duhet të shkojë në burg”—teksa drejtonte dorën nga dera e komisariatit të policisë, duke treguar “burgun” ku duhej të dërgohej drejtoresha.
E nxira në krahun e djalit të vogël, sipas matjeve të policisë, ishte 7-10 centimetra e gjatë dhe 5-7 centimetra e gjerë, dhe, sipas mjekut ligjor, ishte e pamundur që kjo lloj shenje të ishte shkaktuar nga një fëmijë tjetër, pasi forca e nevojshme për ta shkaktuar mund të vinte vetëm nga një i rritur.
Prindërit e A. H. ngritën padi kundër drejtoreshës së kopështit Nashi Shehapi, dhe menjëherë e larguan fëmijën e tyre nga Kopshti Nr. 1 , duke e regjistruar në një kopsht tjetër në Tiranë.
Për fat të keq, pavarësisht raportit të psikologëve, pohimeve të fëmijës A. H., fotografive, raportit mjeko-ligjor dhe trysnisë së prindërve, deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim kundër Nashi Shehapit. Çështja u dërgua nga policia gjyqësore në prokurori një muaj e gjysmë më parë, por ajo ka mbetur në vend.
Drejtuesja e Qendrës Ekonomike të Edukimit dhe Zhvillimit të Bashksië Tiranë, Enkelejda Isaku, pranoi se ata janë informuar për situatën, por as Shehapi dhe asnjë pjesëtar tjetër i personelit të kopështit nuk është thirrur për pyetje nga prokuroria. Për më tepër, kur babai i A. H. u përpoq të takohej me prokuroren e çështjes, Eriselda Bala, në dy raste, ajo u përgjigj se nuk ishte e “disponueshme” dhe nuk telefonoi asnjëherë në numrin e telefonit që ju la për të kontaktuar prindërit e fëmijës.
Kemi të bëjmë me një rast me dëshmi të mjaftueshme kundër drejtoreshës së një kopështi, të cilat sugjerojnë se ajo mund të jetë fajtore për abuzime fizike ndaj fëmijëve. Megjithatë, në vend që të pezullohet nga puna në pritje të hetimeve të mëtejshme, apo të thirret për t’u marrë në pyetje, ajo vazhdon detyrën e saj e pa shqetësuar.
Për më tepër, çështja po fle në prokurori prej më shumë se dy muajsh dhe prokurorja Bala duket se e ka shmangur babanë e fëmijës, të paktën në dy raste, dhe nuk e ka telefonuar atë kur i është kërkuar.
A kemi të bëjmë me qasjen “injoroje dhe do të harrohet”? Nëse ky është qëllimi i atyre që janë përfshirë në këtë çështje, ata duhet të kuptojnë se kjo ngjarje nuk do të harrohet pa u zbardhur.
Nëse kjo grua është vërtet fajtore ose thjesht dyshohet se abuzon me A. H. dhe fëmijët e tjerë në Kopshtin Nr. 1 të Tiranës, atëhere pse po vihen në rrezik fëmijët duke e mbajtur Shehapin në punë derisa drejtësia të mund të nisë të zbardhë çëshjen?
Duhet përmendur se Zonja Shehapi është gjithashtu kyetarja e organizatës së Partisë Socialiste në Kodrën e Priftit dhe përkrahëse shumë e zëshme e Partisë Socialiste. A ka mundësi që lidhjet politike dhe votat të kenë më shumë rëndësi se mirëqenia e fëmijëve të Tiranës?
Por historia nuk mbaron këtu. Për fat të keq, bëhet edhe më keq.
Pas ngjarjes në Kopështin Nr. 1, A. H. u transferua në një kopësht tjetër publik, Kopështin Nr. 20. Çdo gjë dukej se po shkonte mirë deri më datën 8 tetor 2018, kur babai i fëmijës u lajmërua me telefon se fëmija i tij ishte djegur dhe ishte dërguar në spital. A. H. kishte qenë në klasë por i kishte shpëtuar vëmendjes së edukatores dhe ishte endur i pambikëqyrur në mjedisin ku një pjesëtare e personelit po gatuante fasule.
A. H. i kishte dalë përpara dhe ishte përplasur me të, ndërsa ajo po ecte duke mbajtur në duar tenxheren me fasulet e nxehta, e cila u derdh dhe fasulet ranë drejtpërdrejt mbi trupin e fëmijës. Lëngu ishte aq i nxehtë sa A. H. pësoi djegje të gradës së dytë në kraharor, që përveç dëmit fizik, me shumë gjasa, do t’i lërë pasoja psikologjike për gjithë jetën.
Përsa i përket aksidentit në kopshtin numër 20, të gjithë punonjësit e pranishëm kur ndodhi ngjarja shprehën pikëllimin dhe keqardhjen e tyre për atë çfarë ndodhi. Ishte e qartë për prindërit e A. H. se ky ishte një aksident, një aksident që mund të ishte shmangur nëse kopështi do të kishte më shumë personel për të mbikqyrur fëmijët. Kjo ishte një ndjenjë e shprehur nga të gjithë edukatorët, pasi është gati e pamundur që një edukator të mbikëqyrë një grup me 20 deri në 25 fëmijë të vegjël, duke mbajtur para syve çdo njërin prej tyre gjatë gjithë kohës.
Të dyja këto ngjarje traumatike i ndodhën të njëjtin fëmijë brenda dy muajsh. Ndërsa disa mund të thonë se ky fëmijë është thjesht i pafat, unë dua të pyes se çfarë tjetër që ne nuk dimë u ndodh fëmijëve në kopështet dhe shkollat e administruara nga Bashkia Tiranë? A mos kemi të bëjmë me një sistem që nuk funksionon dhe, për rrjedhojë, çështjeve serioze që kanë të bëjnë me mirëqënien e fëmijëve nuk u jepet rëndësia që duhet?
Por përtej kësaj, na duhet gjithashtu të ballafaqojmë faktin se duket që ka mungesë përvoje apo vullneti për t’u marrë me këto raste nga njerëzit e ngarkuar me ligj me këtë përgjegjësi. Për shembull, psikologët që intervistuan A. H. erdhën dy orë me vonëse në takimin e intervistës dhe pastaj e pyetën fëmijën pa asnjë metodë deri sa e rraskapitën; Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve (QEZHEF) e Bashkisë Tiranë nuk bën asgjë kur mëson se një fëmijë nën përgjegjësinë e saj është abuzuar; ndërsa prokurorët nuk veprojnë në mënyrë kritike për rastet që kërkojnë vëmendje të menjëhershme.
Kur u pyet nga babai i fëmijës, Enkelejda Isaku, drejtuesja e QEZHEF-së, pranoi se kopshtet janë të mbipopulluara dhe se u është dashur të regjistrojnë fëmijë pavarësisht mungesës së kapaciteteve.
Por sapo e kuptoi se kishte pranuar mangësitë e sistemit, ajo mori pozicion mbrojtës duke argumentuar se të gjitha kopshtet janë njësoj dhe kjo nuk është në përgjegjësinë e saj. Duke fajësuar tyrsninë e ushtruar nga komuniteti për mbipopullimin e kopshteve, ajo u shpreh se numri i fëmijëve në kopështe është në përgjegjësi të drejtuesit të çdo kopshti, siç parashtron udhëzimi i Ministrisë së Arsimit.
Një problem tjetër është se Ministria e Arsimit nuk duket se ka përcaktuar ndonjë udhërrëfyes në lidhje me raportin fëmijë/mësues në institucionet parashkollore të edukimit, duke çuar në një gjendje ku nuk ka asnjë pikë reference ku një mësues mund të thotë “ndal, jo, kjo nuk është më në rregull” pa frikën e ndëshkimit.
Në shumicën e vendeve të zhvilluara, nën drejtimin e Organizatës Botërore të Shëndetit dhe UNICEF-it, zbatohen raportet e mëposhtme:
Të miturit deri 15 muajsh — një mësues për 3 deri në 4 fëmijë;
Fëmijët 2-3 vjeç —një mësues për 4-6 fëmijë;
Fëmijët 4-5 vjeç — një mësues për 8-10 fëmijë;
Mbi 5 vjeç — një mësues deri 12 fëmijë.
Por këto probleme nuk ndodhin vetëm në kopshtet ku ka qenë A. H. Një nga autorët e këtij artikulli foli me një pjesëtar të personelit të Kopështit Nr. 56, i cili tha se i është dashur të kthejë mbrapsht 50 familje gjatë vitit të kaluar, sepse çerdhja ishte e mbipopulluar.
Të tjerët raportojnë se prindërit janë të detyruar t’i marrin fëmijët në orën 12 të drekës, sepse çerdhet dhe kopështet nuk kanë mjaftueshëm krevatë për të fjetur të gjithë fëmijët.
Fatkeqësisht, këta prindër detyrohen nga trysnia që të heshtin, sepse e dinë se po folën, fëmijët e tyre do të përjashtohen nga sistemi publik dhe pjesa më e madhe e tyre nuk kanë mundësi ekonomike t’i shkollojnë fëmijët në sistemin privat.
I gjithë sistemi duket edhe më i kalbëzuar nëse marrim parasysh ligjet jashtëzakonisht klienteliste dhe super-burokratike që parashikojnë se drejtorët e kopështeve duhet të zgjidhen nga bashkitë dhe mësuesit të emërohen nga Ministria e Arsimit. Kjo çon në arrogancën dhe sjelljen mbrojtëse të drejtorëve në këto institucione, të cilët pranojnë t’i takojnë prindërit vetëm për t’i bërë dalje, sikurse bëri Zonja Zhaneta Beqiri.
Ose i pranojnë vetëm për të marrë lavdërime, por kur vjen fjala për të ngritur shqetësime apo çështje, ata befas janë shumë të zënë qoftë edhe për të telefonuar mbrapsht një prind.
Për më shumë, nëse ju kërkoni informacion në faqen në rrjet për këta nënpunës, nuk do të gjeni asnjë shenjë të profilit të tyre (shiko www.fëmijëtetiranës.al — faqen zyrtare të QEZHEF-së) edhe pse është e detyrueshme me ligj që të botohen emrat e tyre, adresat zyrtare të postës elektronike dhe numërat e telefonit për të qenë të arritshëm nga publiku. Sërish, kjo tregon se këta persona janë aty vetëm për të zënë një vend pune, dhe jo për t’u dhënë llogari prindërve, medias, publikut apo kujtdo tjetër.
Po me dhjetëra mijëra fëmijët e sistemit publik shkollor në Tiranë çfarë ndodh? Jemi në një gjendje ku drejtorë, të cilët dyshohen se abuzojnë me fëmijët, lejohen të qendrojnë në vendin e tyre të punës pa u hetuar, pa u pezulluar, pa u ndërmarrë asnjë veprim kundrejt tyre; jemi në një gjendje ku një djalë i vogël është djegur si pasojë e neglizhencës së shkaktuar nga mbipopullimi i kopshteve; [ër më shumë, jemi në një gjendje ku një drejtuese e QEZHEF-së nuk do t’ia dijë për këto dhe është e interesuar vetëm për t’ia hedhur fajin drejtorive të tjera, prindërve dhe vetë komunitetit.
Sistemi ka dështuar dhe fondet janë të pamjaftueshme, por fakti skandaloz është se një djalë i vogël është traumatizuar dhe plagosur ëndë dhe autorja e dyshuar për dhunën ndaj tij dhe fëmijëve të tjerë në Kopështin Nr. 1 nuk është hetuar ende nga prokuroria, apo administrativisht nga drejtuesja e QEZHEF-së.
Jemi në një gjendje ku kopshtet po punojnë me dyfishin e kapaciteteve, ku një mësues kujdeset për 19 deri 25 fëmijë, ku fëmijët pësojnë djegie të gradës së dytë dhe prindërve nuk u jepet asnjë sqarim, por vetëm u thuhet se është faji i tyre që e regjistruan fëmijën në një kopësht i cili ishte i tejmbushur. Për t’i përcjellë prindërit, më pas, nga një zyrë e padobishme në një tjetër zyrë të padobishme, duke u thënë se nuk është problemi apo përgjegjësia e kësaj apo asaj zyre, dhe për t’u mohohuar drejtësinë për shkak të lidhjeve të mundshme politike të të akuzuarit. Kjo është e papranueshme.
A mos duhet të vdesë ky fëmijë përpara se shtetarët të bëhet ndonjë gjë? /Marrë nga exit.al
Kryetarja e Komisionit të Arsimit, njëherësh deputete e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar menjëherë pas rastit skandaloz të bërë sot publik, ku një fëmijë 4 vjeçar është rrahur dhe djegur në një nga kopshtet që menaxhohet nga Bashkia e Tiranës.
Përmes një postimi në Facebook, Vokshi kërkon hetimin e menjëhershëm të kërtij rasti si dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësit të dhunës ndaj këtij fëemije 4 vjeç.
Ja çfarë shkruan Vokshi:
Tronditëse historia e vogëlushit të dhunuar në kopshtet që menaxhohen nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
As policia, as prokuroria nuk po reagojnë…
Pse sa herë flitet për përgjegjësitë direkte të Kryetarit të bashkisë Tiranë keto institucione nuk reagojnë??
Apo sepse Kryetari u jep qindra milionë euro pronë publike familjarëve të prokurorëve për të mbyllur hetimet, për dhunimin apo shfrytëzimin për vdekje të fëmijëve, siç bëri me rastin e Ardit Gjoklajt.
Pse nuk ndërmerret asnjë veprim ndaj drejtoreshës së kopshtit nr 1, njëherazi drejtuese e partisë socialiste??
Prindër dhe aktivistë të të drejtave të fëmijëve duhet të gjithë të reagojmë.
Dhuna ndaj fëmijëve dhe mosreagimi i institucioneve shtetërore ndaj dhunuesve është i papranueshëm.
I bëj thirrje Avokates së Popullit të nisë një hetim të thelluar për këtë ngjarje shokuese.
Më poshtë keni edhe linkun e lajmit për rrahjen e 4-vjecarit.