Lideri i SYRIZA-s, Stefanos Kasselakis, është martuar ditën e sotme me partnerin e tij Tyler Macbeth, në një ceremoni private në tarracën e Kopshtit Botanik të Chania, në Greqi.
Sipas mediave greke, ceremonia është zhvilluar rreth orës 18:00 të së premtes, ku çifti ka mbërritur në vendin e ceremonisë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa të ftuarit e tyre kishin nisur të vinin pak më herët.
Stefanos Kasselakis dhe Tyler Macbeth janë futur në ambientet e ceremonisë me një makinë private, me synimin për të shmangur kamerat, ndërsa pranë zonës janë parë edhe patrulla policie për të siguruar privatësinë e momenteve personale të çiftit.
Sipas mediave lokale, është aktivizuar edhe një sistem anti-drone në mënyrë që çdo dron në distancë të afërt të mos mund të fluturojë dhe të regjistrojë video nga lart. Në të njëjtën kohë, ata u kërkuan të ftuarve që të dorëzonin celularët para fillimit të festës së dasmës.
Mediat greke kanë publikuar foto nga ambientet ku është mbajtur ceremonia e martesës dhe festa, si dhe të ftuarve të shumtë, figura të njohur të politikës dhe biznesit në Greqi.