Autoritetet italiane kanë zbuluar identitetin e shqiptarit të arrestuar një ditë më parë, si një nga përgjegjësit e tragjedisë së Otrantos, që iu mori jetën 21 personave. Bëhet fjalë për 38-vjeçarin Elton Tafili, një nga skafistët. Ai është dënuar nga drejtësia shqiptare me 25 vjet burg, për akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore. Ndaj Tafilit kishte një urdhër ndalimi ndërkombëtar.
Automjeti i tij është ndaluar, të mërkurën, nga kontrollet rutinë të policisë. Ai dispononte një pasaportë greke false si dhe një patentë. Autoritetet dyshuan se dokumentet ishin false, ndaj nisën kontrollet e plota duke shoqëruar edhe 38-vjeçarin. Pas kontrollit rezultoi se dokumentet ishin false. Nga shenjat e gishtave, sistemi nxori identitetin e vërtetë të Elton Tafilit.