Ky është automjeti tip ‘Mercedes Benz’ që përdorën autorët në vrasjen e Nikolin Lekstakajt pasditen e së mërkurës në Lëzhë. Tv Klan ka siguruar këtë foto ekskluzive të fiksuar nga kamerat e sigurisë teksa makina e vrasësve lëviz në drejtim të fshatit Gjadër pas vrasjes.
Ky automjet, i cili rezulton i vjedhur në në Shtatorin e vitit të shkuar në qytetin e Dimalit, u gjet i djegur në një arë të fshatit Gjadër këtë të enjte nga policia.
Siç shihet nga kjo foto e siguruara, makina është tërësisht e shkrumbuar. Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, u gjet një armë zjarri automatik dhe disa gëzhoja, të gjitha të djegura plotësisht.
Nga zona ku ka ndodhur vrasja e deri tek vendi ku u gjet makina e djegur janë rreth 10 kilometra distancë. Për gjetjen e tyre, policia është ndihmuar nga kamerat e sigurisë në itinerarin e rrugës që vrasësit kanë përshkruar.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se në ekzekutimin e 42-vjeçarit kanë marrë pjesë të paktën 2 persona. Sa i përket motiveve, hetuesit janë përqendruar në disa pista, por më kryesoret janë ato të gjakmarrjes dhe hakmarrjes.
Kjo për shkak të hasmërisë disa vjeçare që fisi Lekstakaj ka në qytetin e Lezhës, por dhe disa konflikte që vetë viktima, Nikolin Marku Lekstakaj ka patur në të kaluarën.
Për zbardhjen e ngjarjes grupi hetimor ka marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve dhe anëtarë të fisit Nikulaj me të cilët janë në hasmëri.
Ndërkohë vijon puna për të zbuluar të gjithë dinamikën e vrasjes, e cila sipas hetuesve ka qenë e mirëorganizuar. Kjo pasi, ka dyshime se autorët të kenë ruajtur viktimën para ekzekutimit.
Dyshim ky që përforcohet edhe më shumë nga dëshmia e të vëllait të viktimës, Bled Lekstakajt, i cili në deklarimet e tij pas ngjarjes është shprehur se vrasja ka ndodhur sapo ai dhe i vëllai u kthyen nga Tirana./ Tv Klan