Tre persona ranë në pranga dje në kuadër të një aksioni të Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda. Të arrestuarit u kapën në flagrancë teksa po i merrnin një shumë parash në formë gjobe një biznesmeni në Durrës.
Sot bëhet me dije se ka qenë vetë biznesmeni i cili i është drejtuar Policisë për ndihmë pasi është ndjerë i kërcënuar. Ai prej disa kohësh ishte vënë në shënjestrën e grupit kriminal. Tre të arrestuarit e kishin kontaktuar dhe e kishin kërcënuar se nëse nuk i jepte 50 mijë euro atëherë ata do të ekzekutonin atë dhe familjen e tij.
Ai i kishte thënë se nuk e kishte shumën që ata kërkonin por kishte pranuar t’u a jepte me këste nga 5 mijë euro. Ata kishin marrë disa nga këto shuma por ndërkohë biznesmeni kishte kontaktuar policinë e cila kishte nisur hetimet dhe më pas organizoi operacionin për kapjen në flagrancë të gjobëvënësve në momentin kur do të jepej kësti i radhës.
Fillimisht mësohet se janë arrestuar në flagrancë Egi Shullazi 26 vjeç, banues në Krujë
dhe Lulzim Zalla, 45 vjeç, banues në Fushë-Krujë, me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve. Më pas është vënë në pranga dhe Klodjan Estrefi 39 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.
Ai dyshohet të jetë edhe personi që ka bërë koordinimin mes gjobëvënësve dhe biznesmenit durrsak. /Opinion.al