Miratimi i neneve dhe amendamenteve në Itali që nuk lejon praninë e Call Center-ave në vendet jashtë BE, ka dhënë efektet e para edhe në vendin tonë. Për të diskutuar për këtë çështje, Bushati ka takuar homologun e tij në Romë.
Ai është shprehur se kanë rënë dakord për të ngritur një grup të përbashkët dhe se në fokus është që të evidentojnë rrugët e zgjidhjes.
“Në Romë me kolegun dhe mikun e mirë të vendit tonë Paolo Gentiloni.
Zhvilluam një bisedë të shkëlqyer mbi thellimin e raporteve dypaleshe, si dhe u ndalëm veçanërisht në problematikën e “Call Centre” ku ramë dakord për të ngritur një grup të përbashkët për evidentimin e rrugëve të zgjidhjes.
Mirënjohje për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Italisë në rrugën tonë drejt BE-së”, ka shkruar Bushati në rrjetin social Facebook.