Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se kriza ka goditur themelet e ekonomisë shqiptare duke dobësuar ndjeshëm aftësinë e saj për t’u rritur dhe për të gjeneruar mirëqenie për qytetarët. Në një raport të fundit mbi Shqipërinë, FMN vlerëson se rritja potenciale e ekonomisë është ulur nga 5.9 për qind që ishte në vitet para krizë në rreth 3 për qind aktualisht.
Shifra e rritjes potenciale tregon mundësinë që ka një ekonomi për t’u rritur pa shkaktuar inflacion ose rritje të borxhit. Në afatgjatë rritja ekonomike e një vendi konvergjon gjithmonë rreth shifrës potenciale, ndaj ky tregues është i rëndësishëm për perspektivën ekonomike.
Por siç dëshmojnë vlerësimet e FMN, potenciali i ekonomisë shqiptare për t’u rritur është reduktuar ndjeshëm dhe kjo ka dy pasoja kryesore për politikat ekonomike.
“Pasoja kryesore në kontekstin politik është që politikat kundërciklike duhet të bazohet në një rritje potenciale prej 2.9-3.2 për qind dhe jo më në 6 për qind si dikur. Implikimi i dytë është se politikat ekonomike për të zgjeruar rritjen potenciale duhet të jenë një prioritet absolut,”- vëren FMN
Reformat kryesore
Për t’i dhënë impulse të reja ekonomisë, që do të zgjeronin rritjen potenciale të saj, FMN rekomandon një sërë reformash kyç. Sipas saj, këto reforma duhet të prekë të drejtat e pronës, zbatimin e ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe sistemin e drejtësisë.
“Forcimi i të drejtës së pronës do të lehtësojë rishpërndarjen e burimeve drejt sektorëve me produktivë si turizmi dhe agrikultura,” thekson FMN.
Ndërsa zbatimi i ligjit dhe reforma në drejtësi, sipas saj, do të përshpejtojnë rritjen ekonomike në sektorë të ndryshëm duke përmirësuar kthimin nga investimet.