Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur se ekonomia globale do të tkurret me 3% këtë vit për shkak të efekteve të pandemisë.
FMN e përshkroi rënien e ekonomisë globale, si më të keqën që nga Depresioni i Madh i viteve 1930. Sipas FMN-së pandemia e ka zhytur botën në një “krizë si asnjë tjetër”.
Fondi shtoi se nëse kjo situatë do të zgjasë, atëherë do të vihet në test aftësia e qeverive dhe bankave qendrore për të kontrolluar krizën.
Gita Gopinath, kryesuesja e ekonomistëve të FMN-së tha se kriza mund t’i kushtojë ekonomisë botërore 9 trilionë gjatë dy viteve të ardhshme.
Ajo tha se rritja e ekonomisë globale mund t’i rikthehet shifrës 5.8% gjatë vitit 2021, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse pandemia përfundon gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020.