Flori Mumajesi ka publikuar një duet me Besa
Kokëdhimën, të titulluar “123”. Dyshja, edhe pse kanë bashkëpunuar prej kohësh në materiale muzikore, vijnë
për herë të parë në një projekt të përbashkët, por siç tregon Flori, ftesa i ka ardhur nga Besa.
I shquar për baladat e këndshme dhe mjaft të pëlqyera, këngëtari ka sjellë heraherës fabula që rrëfejnë për dashurinë, lëndimet dhe tradhtinë. Edhe kënga “123”, teksti i së cilës është shkruar nga vetë Flori, në qendër të fabulës së saj ka një trekëndësh dhe tradhtinë, fakt që të bën të dyshosh se bëhet fjalë për një përvojë personale të tij.
I pyetur në lidhje me këtë, Flori Mumajesi shprehet se, “Jo, nuk është tradhti, ka lëkundje, tundime, por jo tradhti. Megjithatë, ndodh edhe kështu, ka një fillim, jep, merr dhe fund, më pas duhet të rifillojë cikli. Por me kë dhe si? Këtë ia lemë këngës dhe kushdo mund ta interpretojë si të dojë”.
I përfolur për romanca me femra të ndryshme të showbizit dhe jashtë tij, Flori ka qenë gjithmonë hermetik në lidhje me këtë çështje. Ndonëse nguron të rrëfejë nëse aktualisht e ka gjetur dashurinë dhe pranë tij qëndron një femër, këngëtari na tregon se ashtu si djali në këngë, i ka ndodhur që të jetë mes dy shoqeve të ngushta. “Jam gjendur, si s’jam gjendur, por jo në kuptimin e këngës (qesh).
Gjithsesi, edhe pse nuk ka asgjë personale në këngë, di histori të ngjashme, që për fat të keq, apo të mirë kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin”, thotë ai.
/Gazeta Shqiptare