Nga Suada Daci
Për të gjithë ata që nuk e njohin Francesco Acone është fotografi italian, që fiksoi me “smartphone-in” e tij, momentin kur Policia Bashkiake ishte duke i vendosur një gjobë gjyshes tashmë më të famshme shqiptare, Zyle Lamit.
Françesco ka më shumë se 10 vjet që jeton në Shqipëri, është me profesion jurist dhe fotografinë e ka kthyer nga pasion në profesion.
Në këtë intervistë do të mësoni më shumë rreth fotografit italian, i cili është shumë i ndjeshëm ndaj fenomeneve sociale dhe me anë të fotove të tij, dëshiron të ndihmojë njerëzit në nevojë e veçanërisht moshat e treta. Se si e zbulojmë bashkë…
Francesco ju jetoni prej 10 vitesh në Shqipëri?
Po jam që nga 2006-ta këtu. Erdha për aventurë pasi doja të dija më shumë për Shqipërinë dhe duke qenë se vendi juaj më pëlqen vendosa të qëndrojë.
Nga cili qyteti Italisë vjen?
Unë jam nga një qytet bregdetar, Salerno afër Napolit një qyetet gati gati si Vlora.
Është e vërtetë që ngjajmë shumë në shqiptarët me italianët e jugut?
Mendoj që e kemi më të thjeshtë të bashkëjetojmë. Ndryshe nga italianët e veriut që kanë një mendësi tjetër, gati austriake nga kultura. Jugu i Italisë me Shqipërinë, nuk janë konkretisht njësoj, por janë të afërt nga ana kulturore, gjeografike dhe historia.
Profesioni juaj është fotograf apo fotografinë e bën për pasion këtë gjë?
Unë kam studiuar për jurisprudencë, jam avokat me profesion ndërsa fotografia filloi si pasion. Ekspozitën e parë e kam bërë në Tiranë në vitin 2006, me ndihëm e piktorit shqiptar Arben Theodhosi dhe pastaj e kam kultivuar dhe në Shqipëri dhe në Itali dhe kam punuar me kritikë të njohur në Itali.
Të pëlqen të fotografosh peisazhe apo probleme sociale?
Në fakt me fotografinë e nënë Zyles më kanë identifikuar si fotograf të lidhur me problemet sociale dhe varfërisë. Ç’është e vërteta kam shumë sensibilitet për këto gjëra dhe natyrisht që është një temë që e kam zhvilluar me kohën. Por më pëlqejnë të gjithë llojet e fotove.
Si u ndodhe në atë moment pranë nënë Zylës?
Nuk mund të imagjinoja që ajo do foto do bënte shumë bujë, sepse po ta dija do të isha një gjeni (qesh). Kur e publikova si foto nuk kisha asnjë qëllim politik, por ishte situata e tillë shumë e ndjerë që foto mori ato përmasa.
Të panë policët kur bërë foton?
Kjo mendoj unë që është suksesi i asaj fotoje. Ata nuk më panë mua, unë kapa momentin kur nënë Zyla pa me shikim të fortë dhe të ndjerë nga smartphone-i.
Si u ndjeve kur kjo gjë u bë virale?
Nuk e di nëse ky publicitet i ka pëlqyer nënës, por më vjen mirë që nuk ka paguar gjobat e Bashkisë. Për momentin nuk e mendova që do bëhej shumë e famshme ajo foto.
Ti vet je bërë më i famshëm tani?
Shiko unë mendoj që këto gjëra janë momentale, zgjasin 1-5 ditë dhe pastaj kalojnë janë si një “flash”. Por sigurisht që njerëzit më njohin tani dhe më komplimentojnë. Një fotografi me një sfond politik është një foto që bën gjithnjë bujë dhe njerëzit që përdorin mediat sociale mendojnë që aty mund të ketë diçka politike, por nuk ishte ky qëllimi im.
Ti nuk bën tifo për asnjë forcë politike?
Jo me asnjë. Unë nuk jam shqiptar, nuk kam pasaportë shqiptare pra nuk votoj dot dhe këtë gjë nuk e kam bërë as në Itali.
Nuk je shqiptar por shqipen e flet shumë mirë?
Në ndryshim nga bashkëkombasit e mi italianë, që zgjedhin ta mësojnë shqipen me mësuese nga 20-30 vjeç, unë e kam mësuar me një mësuese shumë të madhe në moshë që ishte e shkëlqyer. Nuk desha ta mësoja në fillim, pasi në Shqipëri flisnin të gjithë italisht por më pas mu mësua veshi dhe e mësova për 6 muaj intesivisht.
E ke takuar personalisht gjyshe Zylën?
Jo nuk e kam takuar, por kam lexuar një intervistë të sinqertë të saj dhe më ka pëlqyer shumë kur ajo fliste për hallet e saj. Prandaj po mendoja të bëja një bamirësi për njerëzit e moshës së tretë. Ndoshta të hap një ekspozitë paratë e së cilës të shkojnë për ta. Se di jam duke e menduar.
Do doje ta takoje?
Kam një përshtypje që do takohemi përsëri mediatikisht me të.