Nisma e iniciuar nga dy deputetët e Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, për të propozuar zgjedhjen e Presidentit nga populli, përmes një ndryshimi kushtetues, ka gjetur mbështetjen edhe të 8 deputetëve të tjerë. Amendamenti kushtetues është firmosur edhe nga deputeti demokrat, Eduard Selami.
Në një prononcim për Panoramën, Selami thotë se e ka mbështetur nismën e Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit për shkak se ka qenë që herët i mendimit se kreu i shtetit duhet të dalë si vullnet i popullit.
Ndonëse firma e Selamit në mbështetje të nismës së propozuar nga Blushi e Hafizi është komentuar gjatë, për deputetin e PDsë asgjë jashtë normales nuk ka në këtë vendimmarrje.
Selami sqaron se propozimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votë të drejtpërdrejtë nga populli ka qenë një propozim i hershëm i tij, i cili gjendet i pasqyruar edhe në deklaratat e tij politike. Për ish-kreun e PD-së, kalimi i kompetencave për zgjedhjen e Presidentit sovranit, do të ishte një e mirë që ky Parlament do t’i bënte demokracisë.