Aurel Voda, bashkëshorti i zv.ministres së Brendshme, Rovena Voda, është shkarkuar nga detyra si drejtues në strukturat e sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë. Lajmin për shkarkimin e tij e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Doktori Aurel Voda nuk është përmbajtur me fjalorin e tij, teksa duke iu referuar kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi tha “na çau k****”, ndërsa ditën e djeshme ai ka shpërthyer në sharje ndaj gazetarëve me një fjalor krejtësisht banal.
Ndërkohë, Manastirliu shprehet në reagimin e saj në rrjetet sociale se gjuha e përdorur nga Aurel Voda është e pa tolerueshme dhe se për këtë arsye ai nuk do mund të jetë më pjesë e strukturave të shëndetësisë. Po ashtu, ministrja shprehet se largimi i tij është një mesazh i qartë për të gjithë.
“I patolerueshëm reagimi i dr.Aurel Vodës në profilin e tij në Facebook ndaj disa sulmeve mediatike.Cilatdo qofshin arsyet që e kanë motivuar atë reagim, ai e ka humbur të drejtën të paguhet me taksat e qytetarëve si drejtues në strukturat e sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë. Largimi i tij është një mesazh i qartë për të gjithë. Kush s’i duron dot me qytetari sulmet e çfarëdo lloji, nuk mund të jetë pjesë e sistemit tonë”-shkruan ajo./Opinion.al E.Xh.