Kreu i NATO-s paralajmëroi të mërkurën Kongresin amerikan për kërcënimin që paraqet ndaj aleancës Rusia, që ai tha se është bërë “më agresive”, duke përfshirë shkeljet e saj ndaj Traktatit të Forcave Bërthamore me rreze të mesme veprimi.
“NATO nuk ka ndërmend të vendosë raketa bërthamore me bazë tokësore në Evropë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. “Por NATO gjithmonë do të ndërmarrë hapat e nevojshme për të garantuar një frenim të besueshëm dhe efektiv. Ne nuk duam ta izolojmë Rusinë. Ne përpiqemi për një marrëdhënie më të mirë me Rusinë. Por edhe me një marrëdhënie më të mirë, ne përsëri na duhet të përballemi me një problem të vështirë”, tha ai.
Anëtarët e Kongresit, të cilët e përshëndetën zotin Stoltenberg me brohoritje të gjata, thanë se e shihnin fjalimin e tij përpara sesionit të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit si një rast për të riafirmuar angazhimin amerikan ndaj aleancës.
“Zëri i Amerikës” shkruan se Stoltenberg është i pari norvegjez të cilit i akordohet nderi i rrallë për të mbajtur një fjalim të tillë. Stoltenberg, i cili ka qenë dy herë kryeministër i Norvegjisë, pranoi dallimet që ekzistojnë midis vendeve të NATO-s për tregtinë, energjinë, ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera, por tha: “Kjo është demokracia, nuk është shenjë e dobësisë, është shenjë e forcës”.
Kreu i NATO-s u takua të martën me Presidentin Trump, i cili tha se presioni i tij që vendet e NATO-s të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre ka shtuar dhjetëra miliarda dollarë më shumë kontribute, por aleatët mund dhe duhet t’i rrisin edhe më shumë buxhetet e tyre.
Zëvendës-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Mike Pence tha të mërkurën se Turqia duhet të zgjedhë nëse do të vazhdojë të jetë një partnere me rëndësi kritike e NATO-s, apo do të rrezikojë partneritetin me ‘vendime të papërgjegjshme’ si blerja e sistemit antiajror rus./Opinion.al