Martesa e parë e Xhulietës nuk ishte e lumtur. Bashkëshorti i dikurshëm e shihte çdo ditë pasi ajo mbaronte mësimin dhe vendosi t’i kërkonte dorën. Ai ishte inxhinier ndërtimi në profesion dhe dukej se gjithçka do të shkonte mirë, ndaj prindërit ranë dakord.
Ai kishte shkuar në Itali dhe pas viteve të trazirave, çifti bën një dasmë dhe zhvendoset në Itali. Atje Xhulieta jetonte me bashkëshortin, dy vëllezërit e tij dhe bashkëshortet e tyre e vjehrrën. Ajo tregon në ”Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se me ta shkonte mirë, por e kundërta ndodhte me vjehrrën.
Xhulieta: Ajo kishte lindur vetëm për të të bërë keq se nga i keqi nuk mund të presësh gjëra të mira.
Ardit Gjebrea: Po pse? Kur një vjehrrë shikon një nuse që i dedikohet bashkëshortit, që kujdeset deri edhe për dy vëllezërit, përse duhet të ketë probleme?
Xhulieta: Në fakt këtë pyetje ia kam bërë vetes sepse që në pamje kur ka ardhur për të shkëmbyer unazat, që në pamje të parë, sepse unë jam një njeri që kur kam përballë një person, e shikoj që nëse më transmeton një energji pozitive unë rri bisedoj dhe ndihem rehat. Nëse një person e shikoj që më transmeton një energji negative, stepem, nuk flas, bllokohem.
Ardit Gjebrea: Tani si ndihesh?
Xhulieta: Shumë mirë.
Ardit Gjebrea: Mirë se kjo është e rëndësishme. Për ta ç’dramatizuar se unë e di se ç’vjen tani, çfarë bënte vjehrra jote?
Xhulieta: Pasi unë linda çunin e parë, u sëmura dhe në Itali nuk gjenin asgjë në trup fizikisht sepse isha vetëm 23 vjeç dhe isha një lule.
Ardit Gjebrea: Por ti ishe e sëmurë.
Xhulieta: Po.
Ardit Gjebrea: Dhe s’kishe asgjë.
Xhulieta: Asgjë fizike dhe dyshimet e para kanë filluar kur në bisedat e saj, nëse ajo do nxehej, nëse unë do i ktheja fjalën, ajo kishte një kërcëllitje të dhëmbëve, sikur të kërcënonte. Nuk mund të ta përshkruaj në momentin kur irritohej, sesi dridhej, mimika e fytyrës… Skena që më kanë ngelur, nuk e di nëse do t’i harroj ndonjëherë.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë mbete shtatzënë me një tjetër fëmijë.
Xhulieta: Po, me një gocë. Kam arritur deri nga muaji i shtatë, i tetë, jo aq mirë shtatzënia. Kur shkova për të bërë ekografinë e fundit që do të lindja, më binte të fikët, nuk ishte një shtatzëni e qetë. Kur shkoj të bëj ekografinë e fundit ato kanë kërkuar të flasin menjëherë me bashkëshortin dhe unë e kuptova sepse zemra e fëmijës nuk rrihte më. Kur erdhi bashkëshorti i thanë që “kjo është në rrezik jete sepse i ka vdekur fëmija, ka një muaj në bark dhe i ka marrë infeksion trupi e barku dhe duhet menjëherë ta lindë. Nëse kjo nuk e lind rrezikon të humbë jetën”.
Ditën e kthimit nga spitali, Xhulieta ishte e dërrmuar. Në shtëpi nuk u kthye dot me vajzën në krahë, por nuk mundi as ta varroste sepse nuk kishte marrë një arkivol me trupin e saj. Në shtëpi, vjehrra e priti me një këngë të kobshme.
Xhulieta: Kur ngjitem kjo ishte ulur në divan, u ngrit dhe tha “moj çupa në Elbasan që s’të bleva dot fustan” edhe qeshte “hahahaha” dhe më dukej si ai filmi i Borëbardhës. Thashë po e meritoj unë që pasi kthehem nga një dhimbje kaq e madhe të më presë vjehrra me një ironi të tillë, jo që të më ngushëllojë? Aty kuptova tamam që ajo nuk ka zemër, ajo nuk ka shpirt, ajo ka lindur t’u bëjë keq njerëzve sepse ajo mund të më quante bijën e saj. Unë lashë prindër, prindër gjeta por nuk thashë të lija prindër e të gjeja një shtrigë të më keqtrajtonte duke ditur sakrificat që kanë bërë prindërit e mi që kanë rritur 8 fëmijë.
Ardit Gjebrea: Kështu sillej me ty edhe në sy të ish-bashkëshortit tënd?
Xhulieta: Jo. Kur ishte ai ishte më e ëmbël, kur ai ishte në punë. Kur ishte me mua, nuk bënte asnjë punë, vetëm ofendonte, godiste me ndonjë, si ato arrëzat, cëk dhe ikte./ Tv Klan