FBI nuk do të rekomandojë akuza penale kundër kandidates presidenciale demokrate, Hillary Clinton, për shfrytëzimin e email privat kur mbante detyrën e Sekretares së Shtetit. Lajmi u dha nga drejtori i kësaj agjencie, James Comey.
Në këtë mënyrë është tërhequr njëri prej kërcënimeve madhore kundër fushatës presidenciale të zonjës Clinton, raporton AP nga Uashingtoni.
Pothuajse është krejtësisht e sigurt se vendimi i FBI-së e sjell këtë çështje në mbyllje dhe e largon kërcënimin e akuzave penale.
Prokurorja e përgjithshme, Loretta Lynch, tha javën e kaluar se Clinton do të duhej t’i pranonte rekomandimet e drejtorit të FBI-së dhe të prokurorëve të karrierës.
“Në këtë rast, akuzat nuk janë përkatëse”, tha zoti Comey gjatë deklaratës së tij.